OPINIONE

Flet kandidati i VV-së në Rahovec: Kjo është pikëpamja ime për konfliktin Izrael-Palestinë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Rahovecit u bë temë e mediave për shkak të një postimi të tij në Facebook ku “bënte thirrje për zhdukje të shtetit të Izraelit” dhe kjo ka bërë që ai të dalë me një reagim shtesë.

Edhe pse është një muaj larg ditës së zgjedhjeve komunale, Visar Korenica, ka vazhduar që të paraqesë pikëpamjet e tija për konfliktin Izrael-Palestinë.

Ja shkrimi i tij i gjatë jo për problemet në Rahovec por në Izrael e Palestinë:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ditëve të fundit është lakuar shumë figura ime, personaliteti im dhe është vënë në dyshim qasja ime ndaj humanitetit.

Postimi të cilit i janë referuar disa media të lidhura ngushtë me politikën si ofendim ndaj popullit izraelit, është një tjetër ekzagjerim dhe devijim i papranueshëm nga konteksti.

Në asnjë moment nuk kam shkruar që “UNË” do ta shkatërroj shtetin Izraelit, ose që unë paskam “kërkuar” zhdukjen e shtetit izraelit.

Por, disa media me agjendë politike për të më larguar nga gara për kryetar të komunës së Rahovecit, kanë hulumtuar me muaj të tëra në profilin tim, ku s’kam asgjë për të fshehur, me qëllim të përdhosjes së figurës time dhe personalitetit tim, që janë të dëshmuara sidomos në mesin e qytetarëve të komunës së Rahovecit.

Agjendat politike të mediave të caktuara të cilat duan të ndikojnë në garën elektorale të 22 tetorit në komunën e Rahovecit, me në krye klanin Pronto, kanë ndikuar që një pjesë e qytetarëve të Republikës së Kosovës të ndihen të ofenduar nga ai postim i imi në kohën kur nuk isha pjesë e politikës dhe nuk kam përfaqësuar asnjë mendim politik.

Dua të ritheksoj, se unë dënoj çdo krim të shtetit Izraelit mbi popullin palestinez, ashtu sikurse dikur janë kryer krime ndaj popullit shqiptar dhe bota e civilizuar i dënoi këto krime dhe na doli në ndihmë fuqishëm. Tashmë edhe bota i njeh krimet izraelite ndaj palestinezëve dhe OKB-ja ka bërë rezolutë kundër uzurpimeve të tokave palestineze nga Izraeli. Ndalimi i persekutimit të viktimave të pafajshme palestineze, përfundimisht heqja dorë e Izraelit ndaj refuzimit të drejtës palestineze për ekzistencën e shtetit të tyre dhe njëkohësisht kthimi i pronave të uzurpuara ishte qëllimi i reagimit tim.

Reagimi im ishte moment emocional për shkak të krimeve që shteti i Izraelit bën kundër palestinezëve, që janë të ngjashme me krimet që regjimi barbar i Beogradit bënte ndaj kosovarëve dhe unë atë koment në internet e kam bërë si kundërpërgjigje. Shteti i Izraelit në qoftë se nuk përfundon sulmet ndaj palestinezëve atëherë do të përfundojë me të njëjtin fat që e pati Serbia ndaj Kosovës.

Ka me dhjetëra rezoluta të këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Izraelit ku kanë folur të gjithë udhëheqësit botëror dhe deklarata ime për këtë arsye nuk është anti-semitiste. Si besimtar mysliman që jam, dua t’i kujtoj Bashkësisë Hebraike të Kosovës që gjatë luftës së dytë botërore ishim ne shqiptarët mysliman që i shpëtuam hebrenjtë nga kampet e përqëndrimit nazist dhe gjithashtu dua t’i kujtoj bashkësisë hebraike që shqiptarët mysliman në krye me Hajredin Pashën e Algjerisë ishin ata që i shpëtuan habrenjtë nga inkuizicioni katolik në Spanjën e kryqëzatave.

Unë sikur të gjithë myslimanët tjerë të botës i vlerësoj hebrenjtë dhe ndaj dhimbje me ata për persekutimin që ata kaluan në kohën e Holokaustit dhe kjo nuk do të thotë që unë jam dakord me krimet që regjimi Zionist i Benjamin Netanjahut bën kundër palestinezëve dhe xhamisë së shenjtë Al Aksa. Paletinezët sot, janë sikur kosovarët dje.

Teksa jam kundër krimeve të shtetit izraelit, unë nuk jam kundër popullit hebraik, me këtë rast nuk jam anti-semitist, ashtu siç po tentohet të përdhoset figura ime. Jam në krah të të gjitha personaliteteve botërore që i kanë kontribuar humanitetit dhe të tjera personalitete me prejardhje hebreje, që në njërën apo tjetrën mënyrë kanë kontribuar për një botë më të mirë.

Por, as se si nuk do të jem në krah të shteteve që kryejnë krime mbi njerëzimin, pa marrë parasysh për cilin shtet bëhet fjalë.

Shpreh keqardhjen time nëse dikush mund të jetë ofenduar.

Në të njëjtën kohë ftoj klanin Pronto që të zhvillojnë garë lojale elektorale në komunën e Rahovecit dhe të mos tentojnë që të orkestrojnë fushata të ndryshme për përdhosjen e figurës time.

E gjithë fushata kinse kam kërkuar zhdukjen e shtetit Izraelit është me qëllim që KQZ të më largojë nga gara duke e ditur se në terren rezultatet flasin për ndryshimin e madh që po e presin mbarë vendin në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Rritja e Vetëvendosjes në komunën e Rahovecit dhe përkrahja qytetare për ndryshimin e madh në komunën tonë është shenjë për fundin e klanit Pronto në komunën e Rahovecit dhe se fushata të tilla janë jo-lojale.

Asnjëherë nuk do të hezitoj që të shprehem para qytetarëve të Republikës së Kosovës, pasi jam i pastër dhe i hapur për të komunikuar me të gjithë.

Nuk do të ndalem bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje që të vihet para drejtësisë ministri i bujqësisë, Nenad Rikalo, i akuzuar për krime ndaj shqiptarëve. Por, së pari ai duhet të shkarkohet. Duhet të jepen sqarime se si një person me precedent kriminal dhe me direktiva nga Beogradi ka përgjegjësi për 60 milionë euro subvencione, prej të cilave varen bashkqytetarët e mi të Rahovecit, të cilët me djersën e ballit dhe me shumë vështirësi mbajnë familjet e tyre.

Mediat e PAN-it dhe vet liderët e PAN-it me në krye kryeministrin, Ramush Haradinaj duhet të mbajnë përgjegjësi për tradhtinë që ja bënë bujqve të komunës së Rahovecit dhe unë e Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ndalemi së kërkuari këtë pavarësisht tendencës për të zhvendosur vëmendjen.

Vazhdoj të mbetem i përkushtuar për ndryshimin e madh në komunën e Rahovecit dhe zbatimin e të gjitha pikave programore që do t’i ofrojmë para qytetarëve, me shpresë se fushata të tilla nxitëse ndaj popujve të ndryshëm me qëllim të dëmtimit të figurës time dhe garës politike të mos përsëriten më dhe të jetë një fushatë korekte, fer dhe demokratike.

Sinqerisht dhe #MeZemër,

Visar Korenica

.

7,109 Comments

Click here to post a comment