LAJME

“Korrigjimi i kufirit”, Thaçi e godet keq Haradinajn!

Presidenti i shtetit Hashim Thaçi, ka përsëritur edhe njëherë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nënkupton njohje reciproke dhe perspektivë të sigurt të anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB.

Ky reagim i Thaçit, ka ardhur pas kundërshtimit të idesë së tij për “korrigjim kufijsh” me Serbinë, nga Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, i cili po ashtu ka ftuar ndërkombëtarët që të kundërshtojnë këtë ide, me arsyetimin se si e tillë rrit pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon.

“Individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion. Kosova, përkundër kësaj, mbetet e përkushtuar për dialog dhe arritje të marrëveshjes paqësore përfundimtare. Thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë”, ka thënë Thaçi, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin shoqëror “Facebook”.

Ndërkohë Haradinaj, një ditë pasi takoi Thaçin dhe partnerët tjerë të koalicionit, me prani të Ambasadorit amerikan Greg Delawie, ka thënë se ridizajnimi i kufijve është ftesë për tragjedi të reja në Ballkan.

“Marrëveshja Përfundimtare Ligjërisht e Obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë një hap vendimtar për sigurimin e stabilitetit dhe paqes në rajonin tonë. Njohja reciproke dhe paqja e qëndrueshme duhet të jetë rezultati i vetëm kredibil nga kjo marrëveshje”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Kundër idesë së “korrigjimit të kufirit” janë shprehur edhe partitë opozitare të Kuvendit të Kosovës, LDK, VV dhe PSD të cilat kanë ftuar një seancë të jashtëzakonshme për javën e ardhshme. Për të penguar Presidentin Thaçi në këtë synim, VV ka paralajmëruar edhe protestë. /Gazeta Blic/

.