LAJME

Krasniqi akuzon deputetin Zeka që e nxiti të flas, i kërkon falje publike Fatmir Limajt

Një ditë pas publikimit të një bisede telefonike mes deputetit Milaim Zeka dhe ish ortakut të tij në biznes për rregullimin e vizave, Ilir Krasniqit, ku akuzohet zëvendëskryeministri Fatmir Limaj për një aferë kërkimi të ryshfetit, dalin detaje të reja.

Protagonisti në audioincizim Ilir Krasniqi ka vendosur të flas më gjerësisht për Indeksonline për të treguar siç thotë ai të vërtetën rreth asaj bisede.

Krasniqi që thotë nuk e ka takuar asnjëherë Fatmir Limajn, ka akuzuar deputetin Milaim Zeka se po i bënë këto gjëra për arsyeje të tij personale që vetëm ai i di.

“Nuk ka asgjë të vërtetë në atë bisedë, të gjitha këto i ka sajuar vet Milaim Zeka për qëllime të tij që vetëm ai mund t’i dijë”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ndien keqardhje për etiketimin që i është bërë kreut të NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe i kërkon falje publike.

“Duke e ditur se z.Limaj është njeri i ngritur dhe besoj që do ta kuptoj situatën në të cilën jam gjendur në atë kohë. Ndjej shumë keqardhje dhe i kërkoj falje publikisht për këto etiketime”, ka deklaruar Ilir Krasniqi.

Ai thotë se me Zekën kanë qenë miq të afërt dhe se ai ka ushtruar ndikim shumë të madh mbi të duke e nxitur që të deklarohet ashtu.

“Unë dhe Zeka kemi qenë shokë shumë të afërt, ai ka arritur të këtë dhe të ushtroj një ndikim shumë të madh mbi mua duke me nxitur për një intervistë të tillë”, është shprehur tutje Krasniqi për Indeksonline.

I pyetur se a do të kërkoni përgjegjësi nga deputeti Zeka për këtë bisedë të publikuar, Krasniqi ka thënë se është duke biseduar me avokatin e tij për hapat tjerë.

“Jemi në përgatitje e sipër edhe me avokatin tim për hapat e mëtutjeshëm lidhur me incizimin nga ana e tij pa autorizimin tim”, është shprehur ai.

Ai ka treguar edhe arsyen e prishjes së miqësisë më Zekën dhe vazhdon të insistoi se incizimi është bërë për ndonjë shantazh të mëvonshëm gjë që po vërtetohet.

“Qarja mes meje dhe Zekës ka ndodhur pas kyçjes se tij në strukturat e partisë NISMA, jo pse unë kam diçka kundër kësaj partie dhe Limajt, por pas gjitha atyre presioneve që kishte bërë mbi mua për t’më bindur se Limaj është njeri i korruptuar dhe nxitjes për një intervistë të tillë, ndërsa sa i përket incizimit mendoj se e ka bërë për ndonjë shantazh të mëvonshëm gjë që po vërtetohet”, është shprehur ai.

Ndërsa dje përmes një statusi të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, deputeti Milaim Zeka thotë se incizimi është i vjetër, por 100 % i saktë.

“Prokurorisë dhe hetueseve ua kam dorëzuar sot brutomaterialin e incizuar në studio, të bërë nga dy kameraman, ku Ilir Krasniqi e ka pohuar se gjoja Fatmir Lima ia ka kërkuar 3 milionë euro për ndërtimin e një fabrike. Tani që zoti Lima është duke përgatitur padi, ja se çfarë shkruan ky mashtrues”, ka shkruar mes tjerësh në statusin e tij deputeti Zeka.

Kurse dje zëvendëskryeministri Limaj, kishte mohuar secilin pretendim të bisedës së publikuar. Ai ka thënë se kurrë në jetë nuk e ka takuar, Ilir Krasniqin dhe as që e njeh personalisht.

“Kurrë nuk e kam takuar. Kurrë nuk kam biseduar për këto çështje. Të gjitha këto pretendime janë të pavërteta”, ka thënë Limaj.

Audioincizimi i publikuar dje ka ardhur vetëm dy ditë pasi Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, kundër të pandehurve Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe E.K., për veprën penale “mashtrimi”.

Sipas aktakuzës të pandehurit, Krasniqi dhe Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin, si agjencion punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit I.K dhe M.Z., kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune./Indeksonline/

.