LAJME

Pas seancës së jashtëzakonshme, opozita u kthehet protestave masive

Partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar fillimin e protestave gjatë javës së ardhshme në Prishtinë, siç kanë thënë ata, për ta kundërshtuar iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë.

Për më tepër, edhe deputetja më e votuar në vend nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka ftuar organizimin e një proteste më 7 shtator të këtij viti, në ditën kur në Bruksel do të takohen presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, ndonëse zyrtarë të partisë së saj kanë mohuar që do të bëhen pjesë e protestave të Vetëvendosjes.

Edhe deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka paralajmëruar protesta masive pas datës 4 shtator, shkruan Zëri.

“Kosova duhet të jetë më e fortë me çdo kusht për mposhtjen e shtetshkatërruesit. Vija e kuqe Thaçit i vendoset së pari në Kuvend më 4 shtator e mandej edhe në protesta masive qytetare”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në “Facebook”.

Megjithatë, protesta e opozitës nuk do të organizohet para të martës që vjen, kur do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit e ku pritet të miratohet një rezolutë, në të cilën do të shprehet qëndrimi i përfaqësuesve të popullit kundër “korrigjimit të kufijve” me Serbinë.

.